Trump me COVID-19, sa seriozisht është i rrezikuar ai?

Ka disa faktorë që e rrezikojnë presidentin amerikan Donald Trump që të ketë simptoma më të rënda të COVID-19, raporton CNN.

Ai bën pjesë te një grup me rrezik të lartë për shkak të moshës së tij, pasi ai është 74 vjeç dhe konsiderohet i shëndoshë, që është një faktor tjetër rreziku për një formë më të rëndë të sëmundjes.

Mosha: Sipas Qendrave të ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, njerëzit në moshën 65-74 vjeç janë pesë herë më të rrezikuar nga shtrimi në spital dhe 90 herë më shumë nga rreziku i vdekjes nga COVID-19 në krahasim me të rinjtë mes moshave 18-29.

Obeziteti: Bazuar në testet e fundit për gjendjen shëndetësore që janë realizuar në muajin prill, CNN raportoi në qershor se Trump peshonte 110.6 kilogramë dhe ishte i gjatë 1.9 metra. Kjo i jep atij një indeks të masës trupore prej 30.5, duke e bërë atë teknikisht, të shëndoshë. Mbipesha trefishon rrezikun e shtrimit në spital nga COVID-19, sipas CDC.

Burrë: Trump është burrë dhe burrat kanë më shumë gjasa të vdesin ose të vuajnë nga sëmundje të rëndë nga coronavirusi sesa gratë.

Kushte të tjera: Nuk dihet nëse Trump ka kushte të tjera mjekësore që mund ta fusin atë në një grup me rrezik të lartë.

Sipas testeve të fundit për gjendjen shëndetësore të Trump, presioni i tij i gjakut është vetëm pak i ngritur. Nuk ka asnjë provë që ai ka kancer, sëmundje të veshkave, diabet ose gjendje të tjera të njohura për ta vendosur te njerëzit në rrezik më të lartë.

Mjeku i Presidentit, Dr. Sean Conley, tha se testet e fundit për gjendjen shëndetësore u kryen në prill dhe “nuk kishte gjetje të rëndësishme ose ndryshime për t’u raportuar”.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump njoftoi sot që ai dhe zonja e parë Melania Trump dolën pozitivë me coronavirus.

Diagnoza përbën kërcënimin më serioz të njohur shëndetësor për një president amerikan në dekada. Në moshën 74 vjeç, Trump është në kategorinë më të lartë të rrezikut për komplikime serioze nga sëmundja, e cila ka vrarë më shumë se 200 mijë amerikanë dhe më shumë se 1 milion njerëz në të gjithë botën.