Gjenden mbetje mortore në Prekaz, dyshohet se janë të personave të zhdukur në luftë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bashkë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policinë e Kosovës kanë kryer sot gërmime në lokacionin e varrezave në fshatin Prekaz të Skenderajt, ku janë gjetur disa mbetje mortore.

Kryetari i Komisionit, Andin Hoti, ka bërë të ditur se eshtrat e gjetura mund të jenë të viktimave që janë në Listën e Personave të Zhdukur.

Pas gërmimeve në lokacionin Arbanë, Prizren, sot gjatë ditës, ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë vazhduar gërmimet edhe në lokacionin e varrezave në fshatin Prekaz, Skenderaj.

Pas disa orë gërmimeve, ekipet kan hasur dhe zhvarrosur mbetje mortore (eshtra) të viktimave që mund te jetë në Listën e Personave të Zhdukur”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Hotit, gërmimet po vazhdojnë ende dhe do të dalin me njoftime të reja pas rezultateve të ADN-së për identifikimin e trupave.