7 vjet më parë Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike, më 26 shkurt të vitit 2016.

Ai ka fituar me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjidhja e tij është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat dy herë radhazi kanë ndërprerë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit kanë diskutuar kundër zgjidhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata kanë vënë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës kanë shfaqur dyshimin se kandidati për president, Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

Derisa ishin duke u zhvilluar raundet e votimeve, jashtë parlamentit, Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që kanë hedhur shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

Hashim Thaçi detyrën e presidentit e ka marrë më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).

Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri në dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.

Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999. Thaçi ka qenë lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

Si kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresistë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Karriera politike e Hashim Thaçit ka filluar me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që ka synuar emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi është bërë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit ka mbyllur institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës ka filluar të vepronte jashtë sistemit institucional.

Në vitin 1991, Thaçi është zgjidhur prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku ka dhënë kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.

Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga viti 1997, Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai ka kryesuar delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare, të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas luftës, Hashim Thaçi ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.

Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ka qenë ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ka ndryshuar emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi është zgjidhur kryetar i saj, post, të cilin e ka mbajtur deri më 26 shkurt 2016.

Thaçi ka qenë anëtar i Ekipit të Unitetit që ka përfaqësuar Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që ka negociuar statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi është zgjidhur kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës ka shpallur Kosovën shtet të pavarur.

Thaçi ka qenë kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit, për t’u nisur menjëherë drejt Hagës, për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale.

Në konferencën e fundit si President, ai ka thënë se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Speciale./KosovaPress/