Myftiu Tërnava: Drejtësia duhet të triumfojë, jo politika në Hagë

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka reaguar fuqishëm ndaj kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara në Hagë për dënim me 45 vjet burg për secilin nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë po ashtu udhëheqës të shtetit.
Sipas Tërnavës, kërkesa është “e pabazuar dhe e padrejtë” dhe përbën një fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë. Ai thekson se një qasje e tillë është fyese për viktimat e pafajshme dhe sulm ndaj heronjve që dhanë jetën për liri.
“Ky veprim përbën një përpjekje të hapur për njollosjen dhe degradimin e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare,” tha Tërnava.
Ai gjithashtu kritikoi barazimin e mundshëm të luftës çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, duke e konsideruar një krahasim të papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht.
Myftiu shprehu besimin se drejtësia do të triumfojë në fund dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri.