Kurti javën tjetër në Greqi, i ftuar edhe Vuçiq, Charles Michel dhe liderë tjerë

Mitsotakis fton Kurtin në Greqi në një darkë joformale të hënën, prezentë edhe liderë tjerë

Kryeministri Albin Kurti është ftuar nga homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis të hënën e 21 gushtit bashkë me disa udhëheqës të tjerë të rajonit për një darkë joformale.

Siç raporton mediumi grek “Amna”, nisma e Mitsotakis për të ftuar të hënën më 21 gusht në orën 20:15 liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, nënvizon rolin e Greqisë si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe në Europën Juglindore, thanë burimet qeveritare për këtë medium, raporton Gazeta Express.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis “diçka që është sa thelbësore dhe simbolike”, thanë të njëjtat burime.

Simbolike sepse më 21 qershor ishte 20-vjetori i “Deklaratës së Selanikut” të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që në thelb hapi rrugën për integrimin e shumë vendeve të zonës në BE, thanë të njëjtat burime, shkrun ky medium.

Gjithashtu, edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacheski, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo do të mbërrijnë në Athinë për të marrë pjesë në darkë joformale të hënën në orën 20:15.

Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet si dhe lideri i Sllovenisë që nuk mundi të marrë pjesë në takim, thuhet më tej.

Në darkën joformale do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së: kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, i Kroacisë Andrej Plenkoviq dhe i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.