30-vjeçari në Istog kapet mat me drogë, përfundon në ndalim policor

Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve,

Me drogë u kap dje edhe një 30-vjeçar në rrugën ‘UÇK’ në Istog, pasi Policia e ndali për një kontroll rutinore.

Sinjali mëson se njësia policore që po patrullonte në atë zonë, ka ndalur për kontroll veturën e të dyshuarit, ku më pas kanë gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

30-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij Prokuroria ka nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.