Takimi Kurti – Sullivan, Hovenier reagon: Në atë ndërtesë u takua edhe Thaçi me Bidenin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar ndaj sa i përket vendit ku është mbajtur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe këshilltarit kryesor të Joe Biden, Jake Sullivan.

Deklarata e Kurtit se me Sullivanin është takuar në Shtëpinë e Bardhë u shoqërua me raportime që vënin në dyshim lokacionin e takimit.

Hovenier ka reaguar duke u shprehur i befasuar me disa raportime, duke thënë se ndërtesa “Eisenhower” është pjesë e kompleksit të Shtëpisë së Bardhë dhe se në atë ndërtesë janë mbajtur takime të nivelit të lartë përfshirë Presidentin, zëvëndëspresidentin dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare.

Ambasadori ka publikuar edhe një fotografi të vitit 2010, ku shihet se ka qenë prezent në takimin në mes të Joe Biden sa ka qenë zv.president dhe Hashim Thaçit  si kryeministër i Kosovës, pikërisht në ndërtesën ku edhe Kurti dhe Sullivan janë takuar.