Në Kosovë janë 3,804 raste aktive me coronavirus, 4,989 janë shëruar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se numri total i rasteve pozitive është 9.049 raste nga 37.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 256 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.989 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.804, transmeton Njëshi.

Instituti thekson se zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët, ndërsa bartja e maskave mbetet obligative.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhej në njoftim.

Sipas IKSHPK-së, inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.