Mjekët nga ShBA dhe Italia i operojnë në QKUK fëmijët me anomali në zemër

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar se që nga data 7 maj janë kryer 9 operacione në zemër të hapur dhe 15 intervenime kardiologjike te fëmijët.

Këto intervenime janë kryer në sallat e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive të Klinikës së Kardiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekë nga SHBA-të dhe Italia, në kuadër të Organizatës Humanitare Gift of Life, të asistuar nga mjekë vendorë.

Ky mision i “Gift of Life” do të përfundojë me datën 14 maj.

“Misioni i radhës i Gift of Life në Kosovë po zhvillohet nga data 7 maj 2022 dhe deri tash janë realizuar 9 operacione në zemër të hapur dhe 15 intervenime kardiologjike, gjersa, sipas planifikimit, sot do të kryhen edhe dy operime kardiokirurgjike dhe 3 ndërhyrje kardiologjike, për t’u përmbyllur zyrtarisht më 14 maj 2022”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Në këtë mision janë duke marrë pjesë mjekët nga ShBA, të udhëhequr nga Dr. Harm Valvis dhe Dr. Herbert Shtern dhe ekipi i kardiokirurgjisë nga Gjenoa e Italisë, të udhëhequr nga kardiokirurgët Dr. Françesko dhe Dr. Ribera Santoro.

SHARE