ShBA dhe Britania pro shuarjes së UNMIK-ut në Kosovë, Rusia dhe Kina kundër

Në seancën e çdo gjashtë muajshme në Këshillin e Sigurimit ku paraqitet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, edhe kësaj radhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar konkluduan që misioni u UNMIK-ut në Kosovë s’ka më çfarë të ofrojë dhe se asaj i ka skaduar koha.

Ndonëse edhe ShBA edhe MB pohuan se UNMIK-ut ka luajtur rol kyç që nga viti 1999 e gjer më 2008, mandati i saj origjinal është përmbushur që kohë, pasi që tani Kosova me ndihmën e partnerëve evropianë dhe si shtet i pavarur ka zhvilluar dhe fuqizuar institucionet e saj shtetërore.

“UNMIK-u ka luajtur një rol jetik në përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova që nga miratimi i rezolutës 1244 në vitin 1999. Kushtet në terren janë natyrisht të ndryshe nga ato të vitit 1999, dhe do të ishte koha e duhur tani për të ndërmarrë një rishikim të plotë të formës dhe rolit të UNMIK-ut, dhe të procesit të Këshillit që kemi rreth tij”, ka thënë përfaqësuesi britanik në KS të OKB-së, Fergus Eckersley.

Ndërkaq ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, ka kërkuar mes tjerash edhe që së paku takime gjashtë muajshe të reduktohet në një vjetëshe.

“Siç e kemi thënë shumë herë më parë në këtë dhomë, UNMIK-u prej kohësh e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përshkruar në mandatin fillestar. Mos bëni gabim: UNMIK-u luajti një rol kritik dhe të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në të kaluarën. Megjithatë, Kosova, me ndihmën e partnerëve të saj evropianë, ka zhvilluar dhe forcuar institucionet e saj për të marrë përsipër shumë nga përgjegjësitë dikur nën juridiksionin e UNMIK-ut. Këto informime nuk kanë më nevojë të mbahen në baza gjashtëmujore dhe duhet të reduktohen në takime vjetore”, ka thënë Wood.

Kundër shuarjes së UNMIK-ut në Kosovë janë Rusia, Kina dhe Serbia.

Nga pesë Anëtarët e Përhershëm të Këshillit të Sigurimit me të drejtë veto, ShBA dhe MB janë për shuarje, Kina dhe Rusia janë kundër shuarjes, ndërsa Franca, ka mirëmbajtur pozicin asnjënës, duke mos marrë pozicion as pro as kontra, ndonëse në vitin 2017 Franca deklarohej se ky mision e ka shpenzuar rolin e saj në Kosovë.

UNMIK-u rëndon nga autoritetet e Kosovës është kritikuar për “zëdhënëse të Serbisë” në OKB andaj edhe kanë bërë thirrje që ky mision duhet të perëndojë.

Në tetor të vitit 2021, në seancën e kaluar të Këshillit të Sigurimit, kishte reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili thoshte se UNMIK-u po fliste me zë të Serbisë.

“Kosova duhet ta bëjë të qartë se UNMIK-u s’ka më asnjë rol në Kosovë. Është vetëm një platformë e përdorur dhe keqpërdorur nga Rusia kundër shtetit tonë, duke krijuar tensione të brendshme ose duke na sulmuar ndërkombëtarisht. Kjo duhet të merr fund”, kishte shkruar Enver Hoxhaj në reagimin e tij.