SI U PËRCOLLËN NGA OPOJA PËR TETOVË VEPRIMTARËT E NDJEKUR TË LPK-së, UKË SHALA E SAHIT BERISHA NË SHTATOR 1993

shkruar nga BEDRI Halimi

Pas ardhjes në fshat, nga Prishtina ku isha vendosur gati për një muaj në banesën ku banonin Sadik Fejziu, Hylmi Fejziu e Murat Fejziu, fillimisht shkova në shtëpinë e Behar Hasipit. Edhe pse kuptova se nuk kishte asnjë lëvizje të policisë. Megjithatë duhej të qëndroja aty.

Pas dy ditësh erdhi Behar Hasipi nga Prishtina. Te ai në banesë në Prishtinë, kishte shkuar Sokol Bashota dhe kishte kërkuar që dy njerëz të ilegales, që janë shumë të rrezikuar, duhet të dërgohen ose në Shqipëri ose në Maqedoni.

Sokol Bashota e dinte për mua se duhej të kishta kujdes, por përderisa Bedriun nuk e kanë kërkuar deri tani, këtë punë duhej patjetër ta organizoj ai. Nëse ziheshin ata të dy, kishte rrezik që të burgoseshin edhe shumë veprimtarë të tjerë.

Kështu janë zhvilluar gjërat.

Ardhja e atyre dy të ndjekurve duhej të bëhej në këmbë, nga Prizreni deri në Kuk të Opojës. Fillimisht ecjen në këmbë të kësaj rruge e bënë veprimtarët Enver Berisha dhe Feti Hasani. Ata fillimisht duhej ta kontrollonin rrugën, për ta parë mundësinë e ardhjes së veprimtarëve të rrezikuar.

Pasi e kishin bërë këtë dhe më kishin njoftuar, thanë që sa më shpejtë që të jetë e munduar ardhja e tyre deri në Prizren, duhet të nisemi menjëherë për Opojë.

Njëri nga të kërkuarit ishte pronari i shtëpisë ku ishte mbajtur Mbledhja e Tretë e LPK-së në Ujmir të Klinës, Ukë Shala, kurse tjetri ishte veprimtari Sahit Berisha nga fshati Volljakë i Klinës.

Këtë punë e kreu Feti Hasani së bashku me Ferit Tafallarin e Rexhep Selimin. Ata i sollën këmbë nga Prizreni në pjesën ka Vërrini, në fshatin Kuk, te shtëpia e Behar Hasipit, sipas porosisë që u kisha dhënë unë, dhe se duhej të hynin, kur të errësohej nga pjesa e poshtme e fshatit, ku kishte me pak shtëpi, dhe lëvizjet e njerëzve ishin më të kufizuara. Pas ardhjes së tyre.

I thirra vëllezërit e mi Hajrullahun e Emurllahun. Emurllahu duhej t’i përgadiste kuajt, dhe ka ora 22, t’i qitte përmbi fshat, kurse Hajrullahi me Ukën Shalën e Sahit Berishën, dolën në rrugë këmbësore deri mbi fshat. Nga aty, Hajrullahi vazhdon rrugën për te stani, me Ukën e Sahitin. Rrobat e te dyve, Emurllahi e Hajrullahi ua kishin vendosur në torbë, kurse ua kishin dhënë t’i veshin ca rroba më të vjetra për të lënë përshtypjen e barinjve.

Për këtë punë, e ngarkova me detyrë Hajrullahun, që i dinte mirë të gjitha bjeshkët. Ai kishte qenë me mua, dr. Xhevat Hasanin e disa veprimtarë të tjerë një vit më përpara – 1992 (për të cilën gjë kam shkruar në një nga shkrimet e kaluara).

Meqenëse ushtria serbe qarkullonte nëpër rrugët që mund të ecej me kuaj, për t’i zënë njerëzit që shkonin për benzin, për t’ua marrë benzinën (ishte koha kur e ashtuquajtura Jugosllavi kishte sanksione për benzinë nga Evropa). Atëbotë, shumë njerëz nga Opoja shkonin për të marrë benzin në Tetovë, e Malësi të Tetovës. Prandaj ekzistonte mundësia që të kontrolloheshin edhe stanet e blegtorëve me dele.

Me vete ushtarët serbë kishin një qen të vogël por që bënte zhurmë të madhe. Për këtë arsye nga qentë e familjes sime që ishin 5, dy qenë të bardhë që ishin më të fortët e më të vështirët, i mbanim lidhur, mos t’i vrisnin ushtarët serbë nga frika.

Atë natë vëllezërit e mi Hajrullahu, Bashkimi e Hekimi si dhe djali i mixhës Vedati, e kishin detyrë me i lënë të lëshuar edhe qentë e bardhë, pavarsisht se mund të vritëshin.

Këtë gjë e kërkoj babai im Bahriu, i cili Hajrullahit i tha që nese qentë turren ndaj dikujt në anën e majtë, njëri vëlla imi, bashkë me këta dy duhej të futeshin në thekër, në ndonjë arë, në anën e djathtë. Dhe e kundërta, nese qentë do t’i turreshin dikujt në anën e djathtë, këta duhej të hynin në ndonjë arë me thekër në anën e majtë.

Pra në asnjë mënyrë nuk bën të zihen këta dy. Për fat shumë fshatarë i kishin mjellur arat e bjeshkës me thekër.
Kurse nga ora 3 pas mesnate, duhej të niseshin nëpër vijat që ua kisha caktuar unë, që në fakt ishin pak më të vështira për tu ecur, por më të sigurta për të mos u rënë në sy askujt.
Dhe kështu kishin bërë.

– Veç të shkojmë të sigurt ju lutem. Edhe nëse një rrugë prej një kilometër që mund të bëhet shumë shkurtë por që ka rrezik me na vërejtë, ne pranojmë që të njëjtën rrugë ta ecim në pjesë më të vështira, qoftë edhe 4 orë për një kilometër, vetëm e vetëm të dalim sigurtë, sepse duhet t’i shpëtojmë shumë shokë të tjerë, – tha njëri nga shokët që duhej të largoheshin.
Fiks ora 03;00 dolën duke ndjekur udhëzimet që i kisha dhënë paraprakisht.

Në Buzovcë Hajrullahu i kishte dorëzuar fillimisht te Neshat Mehmedi, që punonte si mësues në shkollën e fshatit. Në atë shkollë, ishte edhe një korier me emrin Abdilbaki Bakija, i cili ishte dhëndër i veprimtarit e shokut tim Zaim Beqiri. Ai duhej menjeherë të nisej, me çka të mundte për t’i dorzuar sigurt te Zaimi, e pastaj Zaim Beqiri e din vet se si duhet vepruar. Me vete Hajrullahut ja kisha dhënë dy copa të vogla letre, njëra për Neshat Mehmedin e tjetra për Zaim Beqirin, të cilat i kishte fshehur mirë në trup.

Çdo gjë kishte shkuar sipas planit.
Në mbrëmje vëllai im u kthye në shtëpi.