Këshillit të Prindërve u humbë durimi: Nëse me 3 tetor s’nis mësimi do të kërkojmë çregjistrim masiv nga shkollat

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka pasë një reagim të ashpër në lidhje me grevën në arsim që është duke vazhduar akoma.

Ky këshill ka thënë “shkurt e shqip” se nëse mësimi nuk nis më 3 tetor do të kërkojnë çregjistrim masiv nga shkollat.

“Nëse më 3 tetor nuk fillon mësimi në gjithë Kosovën, do të kërkojmë çregjistrim masiv nga shkollat dhe sistemi arsimor do të kolapsojë. Nuk do të ketë më nevojë as për shkolla, as për mësimdhënës e as për institucione arsimore! Është e lehtë të prishësh, është kollaj të bllokosh, është e padrejtë greva në arsim!”, thuhet në këtë njoftim.

Këshilli i Prindërve ka kërkuar hapjen e shkollave, derisa kanë paralajmëruar edhe forma të tjera për shprehjen e pakënaqësisë.

“Kjo thirrje nuk i përjashton edhe format e tjera të shprehjes së pakënaqësisë: protesta, marshe, hyrje në shkolla!”.

Mësimdhënësit në të gjitha shkollat e Kosovës sot kanë votuar nëse janë pro apo kundër propozimit të SBAShK-ut për nisjen e mësimit më 3 tetor dhe pezullimin e grevës deri në janarin e vitit 2023.

Rezultatet e përcaktimit të tyre nuk janë bërë të ditura, meqë të njëjtat nuk kanë arritur të mblidhen në nivel vendi, pasi disa shkolla nuk kanë votuar gjatë së enjtes.