Balotelli kërkon që të ndalet futbolli, shkaku i koronavirusit

Mario Balotelli ka bërë thirrje që futbolli të pushojë derisa koronavirusi të vihet nën kontroll në Itali, duke thënë se paraja nuk është më e vlefshme se shëndeti.

Situata është duke dalë jashtë kontrollit, veçanërisht në rajonin e Lombardisë, ku deri tani janë regjistruar më së shumti raste me sëmundjen ngjitëse, mbi 5 mijë.

Deri tani kanë vdekur 233 persona në Itali nga kjo sëmundje tejet ngjitëse, një rritje prej 36 persona nga dita e premte, ndërsa 567 persona të tjerë janë në kujdes intensiv.

Balotelli e ka postuar një mesazh të presidentit të Shoqatës së Futbollistëve, Damiano Tommasi, i cili ka bërë thirrje që futbollit të ndërpritet gjatë kësaj periudhe të paparë.

“Pajtohem me ju 100%. Paraja nuk ka më shumë vlerë se shëndeti. Duhet të zgjohemi nga gjumi. Mos më shkruani dokrra mua, si: por ju jeni të mbrojtur! Çfarë dallimi bën të luash apo të mos luash? Asgjë nuk të ndodhë prapa dyerve të mbyllura! Mos ua pamundësoni njerëzve argëtimin e vetëm që e kanë në fundjavë”, shkroi ai, transmeton express.

“UNË E DUA FUTBOLLIN MË SHUMË SE JU… por të luash do të thotë të udhëtosh më autobus, tren, aeroplan, të flesh në hotel, pra në çdo rast të kesh kontakt me njerëz jashtë mjedisit të punës suaj”, vazhdoi ai.

“Unë nuk po mund t’i shoh fëmijët e mi, për shkak të këtij dreq virusi. Natyrisht se unë nuk dua që nëna ime, e cila me sheh dhe ha me mua gati çdo ditë, ta marrë ndonjë sëmundje nga unë. Ajo nuk është e moshës sime dhe pavarësisht sa shumë e dua futbollin (të cilit i kam borxh gjithçka) unë nuk dua të rrezikoj dhe ta sëmur atë”, përfundoi Mario.

Me vendim të qeverisë italiane, të gjitha ndeshjet në Serie A do të zhvillohen pa shikues në stadiume deri më 3 prill.