7 mijë kandidatë për policë u rrëzuan nga testi, drejtori i Policisë thotë se pyetjet ishin që mësohen në shkollë fillore e të mesme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë sot se konkursi për zyrtarë policor ishte vetëm për 250 vende.

Ai gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, deklaroi se për këtë konkurs aplikuan mbi 11 mijë qytetarë.

Prej tyre sipas Mehmetit vetëm 8 mijë i janë nënshtruar testit, të cilin e kanë kaluar vetëm 1 mijë kandidatë.

“Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve kemi vërejtur se një numër i madh i kandidatëve ka pasur rezultate të kalueshmërisë së shkollimit të mjaftueshëm apo të mirë. Komisioni e ka bërë publikimin e rezultateve dhe nga 8 mijë kandidatë që i janë nënshtruar 1 mijë e kanë kaluar dhe 7 mijë kanë dështuar. Ka pasur dilema se a e kanë kaluar shumë apo pak. Kemi pasur për bazë rekrutimin e vitit 2014 dhe 2018. Më 2014 janë ftuar 19550 kandidatë prej tyre 2881 e kanë kaluar kurse kanë dështuar 15000. Më 2018 numri i kandidatëve ka qenë 16705, e kanë kaluar 3847 kanë dështuar 9 mijë. Më 2021 11291 kanë aplikuat prej të cilëve kanë kaluar 1447”, tha Mehmeti në Komision.

Ai u deklaruar edhe për pohimet se pyetjet e testin kanë qenë të vështira për kandidatët.

Mehmeti tha se pyetjet janë bërë në konsultim me profesorët e Fakultetit të Edukimit dhe se kanë qenë të natyrës që mësohen në shkollë fillore dhe të mesme.

“Pas mbylljes së konkursit është themeluar komisioni përgjegjës për mbarëvajtjen dhe mbikëqyrjen e procesit. Për hartimin e pyetjeve nga matematika dhe gjuha shqipe ka pasur konsultim me profesorët e Fakultetit të Edukimit. Kurse nga fushat e përgjithshme Policia e Kosovës ka themeluar grupin punues që pyetjet të jenë të thjeshta të përgjithshme pa u thelluar në njohuri akademike, pyetje kryesisht që mësohen në shkollë fillore apo të mesme. Në këtë test me shkrim janë hartuar 6 mijë pyetje. Testi është përbërë nga 100 pyetje, dhe ishte koha 2:30 orë”, tha ai.