Andi Pajaziti dyshohet se tentoi ta sulmojë Berat Buzhalën, s’është pjesë e Vetëvendosjes

Andi Pajaziti dyshohet se ka tentuar ta sulmojë gazetarin dhe drejtorin e Gazetës Express, Berat Buzhala.

KALLXO.com merr vesh se Andi Pajaziti tashmë është ftuar nga organet e rendit për intervistim.

Këtë e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Asdren Hoxha.

“Po, mundem me konfirmu që Policia e Kosovës ia ka dërguar një ftesë për intervistim dhe që ai i përgjigjet organeve dhe gjatë ditës së sotme besoj do të sqarohen rrethanat. Sot do t’i përgjigjemi policisë”, ka thënë Hoxha.

Të shtunën mbrëma, drejtori i medias Gazeta Express dhe televizionit T7, Berat Buzhala, denoncoi publikisht një tentim sulm ndaj tij në Prishtinë.

Për këtë, Buzhala fajësoi dy persona, të cilët ai i quajti “vagabondë të Vetëvendosjes”.

Por, pretendimet se peronat që tentuan ta sulmonin Buzhalën janë të partisë Lëvizja Vetëvendosje, i ka mohuar avokati i Andi Pajazitit.

Ai tha se klienti i tij nuk ka fare të bëj me partinë e Albin Kurtit, por ka qenë keqkuptim i të dëmtuarit.

“Absolutisht nuk ka të bëjë me Vetëvendosjen dhe është krejt një keqkuptim i të dëmtuarit (Berat Buzhala). I dëmtuari e ka keqkuptu që mundet me qenë arsyeja për Vetëvendosjen. Ai ka qenë një takim krejt i rastësishëm dhe një keqkuptim për mendimin tim. Nuk ka lidhje me VV-në, nuk është militant as nuk është anëtar partie, bile përkundrazi nuk ka lidhje me atë parti, por ashtu ka mendu i dëmtuari”, tha avokati Asdren Hoxha.

Se Andi Pajaziti nuk është pjesë e LVV-së, e kanë thënë edhe nga zyra për medie e kësaj partie.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka asnjë anëtar me këtë emër dhe nuk ka pasur ndonjëherë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të VV-së.

E një ditë pas rastit, Berat Buzhala së bashku me avokatin, Arianit Koci denoncuan rastin në Policinë e Kosovës.

“Ne e kemi paraqitur rastin në Polici dhe tash Policia ka fillu me e hetu rastin. Ne i kemi dhënë informatat e nevojshme dhe tash besojmë policia e identifikon personat që kanë kry veprën dhe tash vazhdon procedua”, ka thënë Koci për KALLXO.com.

“Unë nuk muj më shumë detaje me dhënë për shkak se mund t’i pengoi hetimet, kemi tregu çfarë veture ka qenë, ngjyra e saj, tabalat e regjistrimit dhe disa dëshmitar që kanë qenë. As Berati (Buzhala), nuk e ka ditë se kush kanë qenë personat”, ka thënë Koci.

Andi Pajaziti është njëri nga personat e përfshirë në incidentin ku pati të plagosur në klubin e natës “Duplex”. Në këtë incident ka qenë i përfshirë edhe Astrit Mehmeti, i njohur me nofkën ‘Llepota’.

Ndaj këtij rasti kanë reaguar gjatë ditës së djeshme figurat publike në vend.

E rastin e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

SHARE