Familja e të akuzuarve për vrasjen në Skenderaj e mbyllur, avokati: Rregullat e kanunit më të fuqishme se ligji

Mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi deklaroi se është i shqetësuar për faktin se familja e mbrojturit të tij sot e kësaj dite është e mbyllur.

Një deklarim të tillë avokati Halimi e bëri të premten në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Shukri dhe Rexhep Rexhepi, të cilët po ngarkohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të viktimës B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt.

Avokati Halimi tha se është shqetësuese se në rrethana të tilla rregullat e kanunit jenë më të fuqishme se ligji, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pavarësisht se nga viti 1999 kur ka përfunduar lufta, e deri sot që i kemi organet tona të drejtësisë, të ndërtuara me shumë mund, e në rrethana të tilla të jenë më i fuqishëm se ligji, se autoriteti i gjykatës dhe prokurorisë rregullat e kanunit, dhe për të kjo është e papranueshme”, tha ai.

Fillimisht në këtë seancë, mbrojtësi i viktimave Isa Aruqi, dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar – familjes së të ndjerit B.M, Brahim Musliu deklaroi se paraqesin kërkesë pasurore-juridike.

Po ashtu, edhe i dëmtuari Labinot Ademi deklaroi se paraqet kërkesë pasurore juridike.

Në fjalën hyrëse prokurorja e shtetit Fetije Bajrami i propozoi gjykatës që të gjitha provat në aktakuzë të administrohen në shqyrtime gjyqësore dhe në bazë të këtyre provave gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Halimi , sa i përket çështjes së akuzës dhe provave të cilat prokuroria i ka prezantuar të administrohen në shqyrtime gjyqësore, sipas tij, kjo çështje në procedurën e hetimeve para prokurorisë është zhvilluar me pengesa të mëdha, shkaku i rrethanave të krijuar më 6 nëntor 2022, e pastaj ndërrimi i prokurorëve, ku në këtë rast kjo lëndë ka kaluar nëpër katër prokuror, dhe e fundit është prokurorja e pestë si përfaqësuese e kësaj akuze.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla deklaroi se me provat e propozuara nga vet prokurorja e shtetit, si dhe me dëshmitarët të cilët do të administrohen në këtë shqyrtim gjyqësor, pret që të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, sepse sipas tij, i mbrojturi i tij nuk marrë pjesë dhe nuk ka kontribuar fare në vrasjen e tani të ndjerit B.M, dhe plagosjen e të dëmtuarit Labinot Ademi.

Fjalën hyrëse e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha, i cili deklaroi se aktakuza e ngritur kundër të akuzuarit Muslu, për veprën penale vrasje në tentativë, juridikisht është e pa qëndrueshme sepse dispozitivi i kësaj aktakuze sa i përket të mbrojturit të tij është hartuar në kundërshtim me faktet dhe provat e ngjarjes së ditës kritike.

Më pas seanca ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit/dëshmitarit Labiont Ademi.

Ai tha se kishte shkuar te familja Musliu, në Baks të Skenderajt për të punuar, më konkretisht për ta fasaduar një muri në rrethojën e shtëpisë së familjes Musliu.

Prokurorja Fetije Bajrami, ka pyetur dëshmitarin se a kishte parë ndonjë automjet duke lëvizur rrugës afër shtëpisë. Dëshmitari u përgjigj se ka qenë një automjet “Audi”, ngjyrë metali që ka qenë në shpejtësi të madhe.

Tutje, prokurorja Bajrami ka pyetur dëshmitarin se nga kush është ndalur automjeti dhe a ka shtënë me armë dikush në këto momente.

Dëshmitari tha se automjetin e kishe ndalur Agim Musliu.

“Po pasagjerin e kam parë që ka dalë me armë jashtë nga automjeti, i cili në dorë ka pasur armë të gjatë –automat, dhe pastaj ka gjuajt në drejtimin tonë, kam mbet unë i plagosur ndërsa B.M. ka mbet i vrarë’’, ka thënë dëshmitari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi i ka kërkuar dëshmitarit që në skicën e vendit të ngjarjes të sqaroi pozicionet se ku kanë qenë ai, i ndjeri B.M. dhe personat e tjerë të familjes Musliu, në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Dëshmitari sqaroi pozicionet e tyre duke shënjezuar me X për secilin në vendin e ngjarjes.

Pyetje për dëshmitarin kishte edhe i akuzuari Shukri Rexhepi. “Kur i keni filluar matjet e murit, kush me kënd i keni bërë matjet e murit?’’, ka pyetur ai.

Në ato momente, përfaqësuesit e palës së dëmtuar në cilësi të publikut janë revoltohen, duke komentuar se “çfarë është e rëndësishme kjo’’.

Më pas situata u tensionua teksa njeri nga pjesëmarrësit në sallë u largua duke thënë “Na kena me qit vetë drejtësinë. Nëse s’e denoni ju, kena me dënu na pasha një Allah’’.

Tutje seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Ademi. Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Syla e ka pyetur  të njëjtin se në momentin kur ka dalë pasagjeri dhe ka shtënë, a ka pasur ndonjë pengesë mes tyre dhe atij.

“Nuk ka qenë asnjë pengesë përveç vetura ka qenë mes nesh’’, u përgjigj dëshmitari.

Ndërsa i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu se kur i akuzuari Shukri Rexhepi ka shtënë me armë, a ka pasur prezent ndonjë fëmijë aty nga familja Musliu, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj ka pyetur dëshmitarin se kush e ka plagosur atë dhe se kush e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.M. Dëshmitari u përgjigj se pasagjeri.

Më pas seanca ka përfunduar.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.