SHEFQET NEBIH HASANAJ 05.11.1962 – 28.07.1998

SHEFQET NEBIH HASANAJ
05.11.1962 – 28.07.1998

Shefqet Hasanaj lindi më 5 nëntor 1962 në fshatin Gllarevë, komuna e Klinës. Si i vogël shquhej për guxim dhe atdhedashuri.
Shefqeti djalë i Nebih e Zyhraje Hasanaj, u rrit në gjirin familjar me 7 motrat. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e mbaroi në shkollën e mesme”Luigj Gurakuqi”në Klinë. Pasi kreu gjimnazin, u mor nga autoritetet serbe në shërbimin ushtarak në garnizonin e Tetovës. Aty ky zog i shqipes në atë burg të armatës fashiste vuajti të zitë e ullirit, sepse për serbët ai konsiderohej si njëri ndër më të rrezikshmit.
Pastaj nga Tetova e transferojnë në Kumanovë, tentonin ta likuidonin, por falë ndihmës së një oficeri shqiptar, Shefqeti doli i gjallë. Pasi e kreu, u detyrua të emigrojë në Slloveni, ku punoi gjashtë vite dhe ishte bërë anëtar i SHKA”Migjeni” në Lubjanë. Në planet armike serbe për ta marrë Shefqetin, ishin paraparë keqtrajtime çnjerëzore e ku shpesh në mungesë të Shefqetit pasi ishte në Slloveni, keqtrajtohej babë Nebihi.
Më 25 shtator 1983 Shefqet Hasanaj u martua, dhe pas vetes la 5 fëmijë, 1 djalë dhe 4 vajza.
Dy ditë pas martesës u detyrua të ikte për Mitrovicë e më pas në Slloveni. Për ta zënë Shefqetin ishin paguar shumë spiunë nga autoritetet serbe. U detyrua të ikte për Gjermani ku organizoi protesta e mbajti fjalime, i ftoi të rinjtë për t’iu bashkangjitur UÇK-së.
Ne verë të vitit 1998 me një grup shokësh nga Gjermania arrin në Shqipëri në Tropojë. Gjatë kalimit të kufirit Shqipëri – Kosovë afër Koshares, u zhvillua luftë e rreptë me një efektiv prej 2.000 luftëtarësh. Kjo betejë zgjati më shumë se 3 orë, ku luftohej për jetë a vdekje.
Trimi që kishte lindur për të jetuar vetëm për atdheun, lirinë, në arenën e luftimeve ndeshet me një plumb të zi, më 28 korrik 1998 bie heroikisht për të lindur në pavdekësi.
Trupin e Shefqet Hasanajt e tërheq bashkëluftëtari dhe bashkëfshatari i tij Shefqet Balaj. U varros në Gjakovë. Pas përfundimit të luftës u rivarros në fshatin Grabanicë te Kodra e Kuqe, Klinë.
Gllareva është krenare për dëshmorin Shefqet Hasanaj, figura e të cilit është skalitur në përmendoren e dëshmorëve afër shkollës së fshatit, e cila e mban emrin e tyre.

SHARE