Zyrtare: Kushtrim Gashi i bashkohet KF Dukagjinit

Klubi futbollistik Dukagjini nga Klina ka bërë zyrtare afrimin e mesfushorit me përvojë, Kushtrim Gashi.

32-vjeçari i njohur për karrierën e tij të pasur në futbollin kosovar, vjen tek Dukagjini pas një sezoni të kaluar në kampionatin malazez me skuadrën Otrant-Olympic nga Ulqini.

Gashi më parë ka qenë pjesë e disa prej klubeve më të njohura në vend, përfshirë FC Prishtinën, FC Ballkanin, KF Vëllaznimin, Besa e Pejës dhe Istogun.

Sipas njoftimit të klubit klinas, Gashi pritet të shtojë forcë, përvojë dhe stabilitet në mesfushën e skuadrës që këtë sezon ka ambicie të larta.

“Mirë se erdhe Kushtrim dhe suksese me fanellën tonë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KF Dukagjinit.

Me këtë përforcim, Dukagjini vazhdon të konsolidojë skuadrën për sezonin e ri, duke synuar një paraqitje sa më të suksesshme në elitën e futbollit kosovar.