Njihuni me kundërshtarin e Dukagjinit në Conference League

Vetëm sigurimi i vendit të katërt në Superligë që e dërgoi në Evropë, ishte me peshë historike për Dukagjinin nga Klina. Por kjo skuadër kosovare, nuk u shfaq thjeshtë “turiste” në kualifikimet për Konferencë Ligë.
Futbollistët e trajnerit Armend Dallku, e kaluan kundërshtarin e parë në këtë kompeticion, duke siguruar në minimum 350 mijë euro nga UEFA.

E për të kërkuar më shumë, klinasit duhet të shfaqin dy ndeshje të mëdha ndaj HNK Rijeka, me të cilën sonte e zhvillojnë përballjen e parë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kroatët janë një herë fitues të kampionatit elitar vendor, kurse kanë fituar 6 herë kupën shtetërore. Të dhënat e fundit në “transfer market” e vlerësojnë me 25.45 milion euro këtë ekip, derisa të gjelbërit nga Kosova me 2.19 milion.

Rijeka edicionin e kaluar u eliminua nga suedezët e Djurgården pikërisht në këtë fazë ku sot luan me Dukagjinin.

Dukagjini – Rijeka, fillon në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe transmetohet direkt në kanalin Sport 1 në platformën ArtMotion.