Arrestohet hetuesi policor, dyshohet se lëshoi vërtetime për qytetarë për të përfituar azil

Një hetues policor i stacionit policor në Kaçanik është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës gjatë ditës së sotme.

Sipas burimeve të KALLXO.com, i njëjti po dyshohet se lëshoi vërtetime për disa qytetarë që kanë dalë jashtë Kosovës.

Këto vërtetime siç mëson KALLXO.com qytetarëve u mundësonte të kërkonin azil jashtë vendit.

Gjithashtu burime të KALLXO.com tregojnë se pas disa hetimeve ndaj te njëjtit hetues, dokumentet e keqpërdorura janë gjetur në kompjuterin e hetuesit policor.

Në lidhje me rastin KALLXO.com ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

“Unë vetëm mundem me ju konfirmu që hetuesi është ndaluar për 48 orë në mbajtje për veprën penale këqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha shkurt kryeprokurori Jashari duke mos dhënë detaje pasi që rasti është duke u hetuar më tutje.