NË SHTRATIN E ANKTHIT

E reja meremeton shtratin
me mjeshtër të kohës së vjetrës,
aty po i shtrin duart dhe këmbët
(ia ndiej duhmën që ka marrë në atë shtrat).

TI MA MPREH SYRIN

Ditës përditë ia zhvesh
deri në kaun e zi një nga një
këmishët e kollarisura të kamuflimit,
edhe kur letër anonime a fletë-rrufe
shkruar zi si dje,
shkrep sekush
nga asambletë popullore a nga grigja,
e ti syrin ma mpreh
me vrushkuj drite në bebëza.

RRITJE ÇMIMESH

Tyxharët lirë kanë me e ble edhe lirinë
e shtrenjtë kanë me na shitë me pakicë.

Më shtrenjtë se flamurin dhe shkollën,
tyxharët që nga Lukja e atdheut
ende blejnë lirë trup e qymyr.

BIXHOZ

Liria sa herë humb kumar me tyxharë,
peng e lë atje një motër dhe një nanë.