Pasurohet Drita, kjo është shumë që ka fituar deri tash nga UEFA  

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita e siguroi kualifikimin në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Evropës. Pas këtij suksesi historik për futbollin e Kosovës, klub i gjilanas ka përfituar një shumë të majme nga UEFA.

Drita do të marrë 260 mijë euro nga UEFA për faktin se është shpallur kampione e Kosovës, kurse për pjesëmarrjen në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, gjilanasit do të fitojnë 230 mijë euro.

Pas humbjes në tavolinë ndaj Linfield, bardhekaltërit përfunduan në raundin e dytë të Ligës së Evropës, ku skuadrat që luajnë në këtë rreth, marrin 260 mijë euro.

Pas fitores së djeshme ndaj Sileksit, Drita u kualifikua në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, duke përfituar edhe 280 mijë euro për kalimin në këtë rreth.

Gjilanasit kanë fituar deri më tash 1 milion e 30 mijë euro nga shtëpia drejtuese e futbollit evropian. Klubi nga Gjilani është shpërblyer me 30 mijë euro edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës për fitimin e titullit kampion në edicionin që lamë pas.