Kurti: Javën e ardhshme vijnë vaksinat e tjera anti-COVID

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një pjesë prej 95 mijë vaksinave të premtuara nga BE do të vijnë javën e parë të muajit maj.

Në një paraqitje nga Brukseli, kryeministri Kurti ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave që erdhën si ndihma është shpenzuar dhe Kosova nuk ka vaksina anti-Covid për momentin për të vaksinuar qytetarët. Kurti që po qëndron në Bruksel ka bërë të ditur se është takuar me kreun e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, dhe ka treguar se njëra prej temave që është diskutuar është edhe ndihma me vaksina.

“Kemi folur edhe për sigurimin e vaksinave. Ne jemi shteti i vetëm europian që nuk kemi marrë vaksina nga Kina dhe Rusia. Kontingjenti i parë që erdhi me ndihma nga Covax kishte 24 mijë vaksina. Ato të kontingjentit të parë janë harxhuar por kontinengjenti i radhës, do të vijë një pjesë e tyre në javën e ardhshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën mirëpo ne kemi nevojë edhe për më tepër vaksina në mënyrë që në fund të qershorit të vijë mërgata jonë në vendlindje”, ka thënë Kurti.

Tutje ai tha se kjo do të ndihmojë shumë në sektorin e shëndetësisë, mirëpo edhe në ekonomi.

“Javën e ardhshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe shëndetësinë. Kështu do të kontribuohet edhe në zhvillimin sektorit publik, përvecse në sektorin e shëndetësisë”, shtoi ai.