SHËNOHET 15 VJETORI I PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Sot, në 15 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, me intonimin e himnit shtetëror e kombëtar filluam aktivitetet për shënimin e një ngjarje kulmore në historinë tonë shtetërore e kombëtare.

Po ashtu, sot është mbajtur edhe seancë solemne e kuvendit të komunës për nder të përvjetorit të pavarësisë.

https://www.youtube.com/live/hyZDv7l06IA?feature=share

“Ndjej obligim njerëzor e kombëtar që në mënyrë të veçantë të shpreh respektin dhe nderin për komandantin legjendar, Adem Jasharin, familjen Jashari, komandant “Kapuçin”, Mujë Krasniqin, dëshmorët e luftëtarët e UÇK-së, të cilët flijuan çdo gjë për lirinë e Kosovës të cilën ne sot e gëzojmë.

Sot, po ashtu, me respekt dhe mirënjohje kujtojmë kontributin e madh paqësor, politik e filozofik të ish presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe shpreh mirënjohjen dhe falënderim ndaj miqve tanë ndërkombëtar, shteteve perëndimore e paqedashëse të botës demokratike me ndihmën e të cilëve Kosova përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e vet si shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe i orientuar drejt rrugëtimit të tij të qartë euro-atlantik.

Çdo njëri nga ne e kujton 17 shkurtin e vitit 2008. Kjo datë do të mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorien e këtij brezi që pati fatin ta përjetojë këtë kohë si një pikë kulmore e këtij rrugëtimi të këtij populli deri me ditën e sotme. Megjithatë padrejtësitë ndaj Kosovës e shqiptarëve po vazhdojnë. Sot, fatkeqësisht e padrejtësisht themeluesit e ish liderët e UÇK-së dhe themeluesit e ish krerët e shtetit po përballën me akuza të padrejta për luftën e tyre për lirinë e një populli të shtypur. Në këtë ditë feste, sot ata na mungojnë, i mungojnë ish bashkëluftëtarëve të tyre, institucioneve të Kosovës e qytetarëve. Por lufta e UÇK-së ishe e domosdoshme, vetëmbrojtëse dhe e drejtë, prandaj kjo edhe do të vërtetohet.

Urime përvjetori i pavarësisë!

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e Kosovës!”- ka thënë Elezaj me një fjalë rasti gjatë këtyre aktiviteteve.