14 ditë nga vendosja e barrikadave në Veri, Qeveria paralajmëron heqjen e tyre në rast se KFOR-i nuk vepron

E shtuna e 10 dhjetorit e gjeti veriun e vendit nën tensione. Në shenjë revolte për arrestimin e ish-policit serb që dyshohet për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, Dejan Pantiq, grupe të serbëve lokalë atje, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata atje po monitorohet nga afër edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe nga misioni i NATO-s, KFOR.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media në Mitrovicë dje tha se e kanë mundësinë për heqjen e barrikadave, nëse KFOR-i nuk vepron sa më shpejt.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.

KFOR-i në një komunikatë për media të martën tha se përdorimi i dhunës dhe sjellja agresive në veri për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë, është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim, duke shtuar se është përgjegjësi e të gjithëve që të garantojnë sigurinë kolektive të rajonit.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, deklaroi se KFOR-i ruan aftësitë dhe mjetet e duhura për të parandaluar dhunën në rajon dhe për të siguruar që ekzistojnë kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejmë politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të ecur përpara, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.

E në protestën e serbëve që u mbajt dje në Rudarë të Zveçanit, u tha se pa u plotësuar disa kushte të tyre, barrikadat në veri nuk do të tërhiqen.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se kushtet për heqjen e barrikadave janë lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Kushte për heqjen e barrikadave vuri edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se barrikadat do të hiqen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Fillimisht formoni Asociacionin e komunave serbe, pastaj do t’i heqim barrikadat”, tha Vuçiq.

Autoritetet e Kosovës janë kundër formimit të këtij asociacioni, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik dhe se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kujtojmë se për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

/sinjali

SHARE