Kryetari Elezaj vizitoi QKMF-në, diskutojnë për masat ndaj virusit COVID-19

Duke parë gjendjen e krijuar pas përhapjes se virusit COVID-19, kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ku është pritur nga Drejtori i Shëndetësisë, z. Hekuran Sejdiu, Drejtori i QKMF-së, z. Anton Shllaku dhe stafi mjekësor.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për vendimin e Qeverisë së republikës së Kosovës në lidhje me masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e infektimit me këtë virus.
Kryetari Elezaj theksoi se, megjithëse ende nuk është paraqitur ndonjë rast me këtë virus, institucionet e shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante duhet të vazhdojnë përgatitjet për parandalimin e infektimit dhe përhapjes së këtij virusi.
Po ashtu, ai theksoi se nuk duhet të krijohet panik, por qytetarët duhet të përcjellin me kujdes të shtuar gjendjen dhe të zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHP).