Albulena Haxhiu paralajmëron një vizitë në Hagë të ish-krerët e UÇK-së

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka folur për punët që ka bërë ministria që ajo e drejton për periudhën një vjeçare.

Në këtë konferencë Haxhiu është pyetur nga gazetarët se a do të shkoj për vizitë në Hagë, ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së.

Ajo ka thënë se së bashku me Komisionin për Legjislacion dhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë planifikuar ta kenë një vizitë në Hagë, por nuk e ka caktuar kohën se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Unë bashkë me Komisionin për Legjislacion dhe nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë dhe është e vërtetë që disa prej tyre nuk e kanë pritur Ministrinë e Drejtësisë në vizitë, mirëpo si Ministri e Drejtësisë e kemi për obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë. Sa i përket luftës së UÇK-së kemi një qëndrim. Lufta ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Problemet e pas luftës politike me ta nuk më bëjnë mua që mos të kërkoj një takim me ta”, tha Haxhiu.