Shërbimi Korrektues jep detaje për vdekjen e të burgosurit në Pejë

Mbrëmë një i burgosur ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.

Bëhet fjalë për të burgosurin nga qyteti i Lipjanit, Mehmet Maliqi, 85 vjeçar nga Lipjani.

Mbi të rëndonte vepra penale “Keqpërdorim seksual nën moshën 16 vjeçare”.

IndeksOnline mëson se ai ishte arrestuar më 19 janar të vitit 2018 dhe ishte i dënuar 10 vite.

SHKK përmes një komunikate ka treguar se i burgosuri kishte pasur probleme shëndetësore me zemër, diabet dhe sëmundje me komplikime të tjera.

Komunikata e plotë:

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se mbrëmë rreth orës 22:40 në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri M. H, viti i lindjes 1935.

I burgosuri, nga data 02.12.2020 me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë është hospitalizuar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti ka ndërruar jetë. 

M. H nga fillimi i mbajtjes së dënimit ka pasur probleme shëndetësore në zemër, diabet dhe sëmundje me komplikime të tjera. Si pasojë e sëmundjeve dhe moshës, i njëjti tërë kohën ka qenë i vendosur në Stacionarin e Qendrës Korrektuese Dubravë dhe është trajtuar nga mjekët në këtë institucion, në spitalin Pejës dhe në SHSKUK. 

I njëjti ishte i dënuar me dhjetë vite burgim për Veprën  Penale; Keqpërdorim seksual nën moshën 16 vjeçare.   

Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.