Kryeministri Kurti priti në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Italisë, Antoni Tajani dhe ministrin e Mbrotjes, Guido Crosetto

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në ndërtesën e Qeverisë për një takim bilateral, zëvendëskryeministrin e Republikës së Italisë, njëherësh Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani dhe ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Guido Crosetto.

Në mirëseardhjen e tij, Kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës, sigurisë dhe mbrojtjes dhe se është i gatshëm të punojë së bashku për fuqizimin e tyre në shërbim të interesave të përbashkëta.

Ai shprehu falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Italisë në forma të ndryshme përgjatë gjithë fazave të historisë së re të Republikës së Kosovës. E njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, performancën ekonomike të vendit, me theks te rritja ekonomike e shënuar në vitin 2021 dhe 2022 dhe trendin pozitiv të eksporteve dhe investimeve të huaja dhe për reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Gjithashtu, kryeministri Kurti, nënvizoi planet e Kosovës për aplikimin në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti dhe synimet për të qenë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe ritheksoi aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në kuadër tëorientimit vleror dhe diplomatik të Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, duke falënderuar për mirëpritjen, tha se vizita e delegacionit të Qeverisë italiane sot është shprehje e angazhimit më të fuqishëm të Italisë në Ballkanin Perëndimor. Ai shprehu përkushtimin e Italisë për të kontribuuar në zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, teksa ministri i Mbrojtjes, Crosetto dha mbështetjen dhe ofroi ndihmën e Italisë për Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Gjatë takimi u diskutua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet e fundit në procesin e dialogut dhe për takimin e djeshëm në Bruksel. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti e njoftoi zëvendëskryeministrin Tajani për agjendën e takimit sipas ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimin Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhëna në gjashtë takimet e datës 21 nëntor, dhe për vendimin e sotshëm për të shtyrë për 48 orë, sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbatimin e fazës së dytë të vendimin për targat ilegale.

Kryeministri Kurti mirëpriti interesimin dhe angazhimin e shtuar të Italisë për rajonin tonë, duke e shprehur edhe gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur pozitivisht një ftese në kuadër të planeve të Romës zyrtare për ftuar në një organizim të përbashkët liderët e Ballkanit Perëndimor.