Çmimi “Ora e Tahir Deskut” i jepet shkrimtarit Arif Molliqi

Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës sot është mbajtur edicioni XIV i manifestimit tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”, i cili për çdo vit mbahet nën përkujdesjen e komunës së Klinës dhe organizohet në shenjë përkujtimi dhe homazhi për poetin klinas Tahir Desku.

Në këtë manifestim kanë marrë pjesë kryetari komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, drejtoresha e Kulturës, Fatjona Gashi, familjarë të Tahir Deskut, shkrimtarë, poetë dhe qytetarë.

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili hapi manifestimin tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”, tha se manifestimet letrare, kudo dhe kurdo që organizohen, na mbushin përplot emocione, na bëjnë më të ndjeshëm, më kreativë, më njerëzorë, më të dashur, më të shoqërueshëm.

“Dita e sotme në Klinë nuk është vetëm festë libri mes nesh. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për Tahir Deskun. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për sakrificën e madhe të shkrimtarëve ndër dekada. Është ditë kujtimi për shtegtimin e librit shqip. Sot është ora e shkrimtarit Tahir Desku që ecën paralelisht me orën tuaj, me shqetësimet tuaja, me gëzimet tuaja, me emocionet tuaja, me reagimet tuaja, me hakërrimat tuaja.

Secila orë e shkrimtarit që organizohet në Kosovë është e ndryshme prej sonës që organizojmë në Klinë me emrin e ish-luftëtarit të lirisë, të gazetarit dhe të poetit Tahir Desku, i cili plagëve të luftës, edhe dashurisë, u ka kënduar orë e çast maleve të Drenicës, të Dukagjinit, rrugëve të Kosovës, të Evropës e të Amerikës.

Në çdo edicion të ri këtë manifestim po përpiqemi ta bëjmë më madhështor dhe më të mirë edhe me përkrahjen tuaj. Prandaj, ju shpreh falënderime të përzemërta që sot keni ardhur në Klinë për përkujtim, nderim dhe takim. Gjithashtu, më bëhet shumë qejfi që sivjet anëtar jurie për çmimin letrar ‘Ora e Tahir Deskut’ është miku i tij Adem Gashi, vite më parë laureat i këtij çmimi, i cili, si askush tjetër, e njeh krijimtarinë poetike të tij, sepse ka bashkëpunuar gjatë me të, edhe gjatë procesit krijues.

Në manifestimin tradicional letrar ‘Ora e Tahir Deskut’ disa vjet me radhë kanë ardhur krijues nga të gjitha trevat shqiptare. Poetë dhe prozatorë janë nderuar me çmime të ndryshme e shumë të tjerë kanë marrë lëvdata për poezitë, për tregimet, për romanet. Keni ardhur edhe ju sot e do të vijnë edhe të tjerë pas jush me vepra arti në duar për ta paraqitur talentin, ndonjëri edhe për ta nisur rrugën e poetit.

Sigurisht sot do të ndiejmë kënaqësi dëgjimi derisa interpretoni vargjet tuaja.

Ju dëshiroj mbarësi në punë dhe krijimtari!”, ka thënë Elezaj.

Kryetari i jurisë i çmimit “Ora e Tahir Deskut”, Adem Gashi, para publikut të pranishëm njoftoi: “Në këtë edicion të këtij manifestimi letrar, në mesin e dhjetë veprave konkurruese, juria (në përbërje të Adem Gashit, Agron Y. Gashit dhe Albanë Mehmetajt) unanimisht vlerësoi për Çmimin ‘Ora e Tahir Deskut’ romanin e Arif Molliqit, ‘Arkivi i letrave të djegura’”. Çmimi iu dorëzua vëllait të Arifit, Hysen Molliqit, i cili falënderoi jurinë për vlerësimin dhe kryetarin Elezaj dhe Drejtorinë e komunës së Klinës për organizimin e këtij manifestimi letrar.

Manifestimi vazhdoi me një orë letrare, në të cilën poetë të shumtë deklamuan poezitë e tyre dhe juria, po në përbërje të Adem Gashit, Agron Y. Gashit dhe Albanë Mehmetajt, dha tri çmime për poezi. Çmimi i parë iu dha poetes Vlora Rexhaj për poezinë “Diku”, i dyti Idriz Berishës për poezinë “Zemër nëne”, i tretë Mehdi Krasniqit për poezinë “Tahir Desku”.