Punëtorët e sektorit privat kërkojnë 50 euro shtesa, i japin një javë afat Qeverisë për reflektim: Në të kundërtën pasojnë protestat

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat i ka dhënë afat edhe një javë Qeverisë që të reflektojnë rreth kërkesave të tyre, në të kundërtën kanë paralajmëruar protesta.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi ka thënë se javën tjetër do të marrin vendim për protestë, në rast se Qeveria nuk reflekton rreth kërkesave të tyre.

“Unë njoftoj se vendimi për protestë do të mirret në javën tjetër. Çështjet politike në rend të parë, janë për të shtyrë vendimin protestë.

“Ne po i japim afat edhe një javë qeverisë që kërkesën tonë ta shqyrtojë mirë. Po i shterim të gjitha mundësitë, po ju njoftojmë se ne jemi keq, na është bërë e e padrejtë. Nëse kjo nuk ndodh jemi të detyruar të marrim një vendim qe ne nuk e duam, por po na imponohet. Mbi 80 përqind të shoqatave janë pro hyrjes në protestë, por ne nuk po dëshirojmë që edhe ai 20 përqind të mbetet jashtë”, tha Azemi në një adresim për media.

Sektori privat po kërkojnë nga Qeveria që t’i ndajë nga 50 euro për punonjësit e sektorit privat, pa i kushtëzuar kompanitë për rritje pagash.

Qeveria ditë më parë ka premtuar se do të subvencionojë kompanitë private që ua rrisin punonjësve pagën. Sipas vendimit, subvencionimi do të jetë 50 për qind për rritjet deri në 100 euro dhe për tre muaj.

SHARE