Shoqata e Gastronomëve ankohet për sjelljen e policëve karshi klientëve

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës u ka bërë thirrje zyrtarëve policorë dhe inspektorateve përgjegjëse që të zbatojnë në përpikëri Vendimet e Qeverisë për kontrollin e pandemisë.

Shoqata ka reaguar duke thënë se “është bërë praktikë kohët e fundit që zyrtarët policorë janë duke shkaktuar problem pranë lokaleve të gastronomisë. Konkretisht kjo ka të bëjë me sjelljet e tyre që janë të pahijshme dhe drejtohen ndaj klientëve dhe stafit në hapësirat e lokaleve”.

Shoqata po ashtu ka thënë se këto sjellje të zyrtarëve policorë përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Kjo çfarë po shohim kohët e fundit, është shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht barazisë para ligjit, dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës!  Ju lusim të raportoni çdo rast i cili është në kundërshtim me ligjet në fuqi, në mënyrë që të përdorim mjetet juridike para institucioneve relevante.  Shoqata është në shërbimin tuaj, duke u kujdesur për zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjeve në vend”, përfundon reagimi.