Telekomi thërret konferencë të jashtëzakonshme pas tërheqjes së mjeteve nga Devollët

Telekomi i Kosovës sot pritet të mbajë konferencë të jashtëzakonshme pas tërheqjes së mjeteve nga kompania Dardafon.

Kjo konferencë do të mbahet në orën 11:30 në ndërtesën kryesore të Telekomit.

Ndryshe, Telekomi ka njoftuar dje se kompania Dardafon ka filluar që të zbrazë llogarinë e kësaj ndërmarrje publike, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Telekomi ka bërë me dije se Devollët kanë lënë pa paga rreth 3 mijë e 300 punëtorë dhe të gjitha shërbimet e institucioneve të sigurisë së vendit.

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se Devollët kanë filluar tërheqjen e mjeteve nga xhirollogaria e Telekomit, raporton Gazeta Sinjali.

Ndërsa, Gazeta Sinjali raportoi dje se nuk do të ketë paga për punëtorët e Telekomit, pasi që deri në ora 15:00 të ditës së djeshme janë tërhequr mbi 2.7 milionë euro nga kompania e Devollëve.

Sipas burimeve të Sinjalit, tërheqja është bërë në secilën bankë ku Telekomi ka llogari aktive.