Të hyrat tatimore arrijnë shifrën 623.6 milionë euro

Trendi rritës i të hyrave vazhdon ta dominoi inkasimin edhe për periudhën janar-tetor 2022, ku përtej planit janë për 12.9 milionë euro apo 2.1%.

Kështu thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Përderisa, vlera totale e inkasimit shkon në 623.6 milionë euro tatime. Ndërsa, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 111.1 milion euro apo 21.7%”, thuhet në njoftim.

Performanca e të hyrave vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë, pavarësisht rishikimit të bërë të planit deri në fund vitit.

“Po ashtu, vlen të theksohet se kjo rritje ka ndodh pa pasur ndryshim të normave tatimore.

Vlerësim për rritje dyshifrore të të hyrave së fundi ATK ka marrë edhe nga raportet ndërkombëtare, si ai nga Komisioni Evropian dhe PEFA.

Në këto raporte theksohet se progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020 (të hyrat e përgjithshme, ATK & Doganë)”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në fund të tetorit ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ky buxhet vjen pas “vitit më të suksesshëm në histori, për të hyrat”.

Ai ka thënë se nga ky buxhet, rreth 750 milionë euro do të jenë për paga e mëditje, ndërsa 493 milionë për mallra e shpenzime.

Në konferencën për media pas mbledhjes, ministri Murati ka konfirmuar se buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë 123 milionë euro, apo rreth 20 për qind më shumë se buxheti i sivjetmë që ishte 102 milionë. 

SHARE