Kosovarja, miss, politikane dhe këngëtare e suksesshme në Zvicër

Artistja shqiptare në Zvicër, Kështjella Pepshi, flet për mediat zvicerane për arritjet e saj profesionale, përfshirë suksesin në muzikë dhe angazhimin e saj në politik në këtë vend, transmeton albinfo.ch.

Kështjella Pepshi është një vajzë entuziaste, e bukur dhe modeste.  Që nga shpallja e saj “Miss Kosova 2010” jeta e saj ka ndryshuar. Pas rrëmbimit të kurorës, karriera e Kështjellës vazhdon duke marrë pjesë në një film dokumentar francez. Më pas garoi në Listën e CVP-së për Parlamentin e Zvicrës. Bukuroshja Pepshi është me prejardhje nga Juniku ndërsa jeton në Heimberg të Zvicrës, kantoni i Bernës, shkruan albinfo.ch.
Kështjella Pepshi ka folur për mediat zvicerane për sukseset e saj, duke nisur nga Las Vegasi ku prezantoi Kosovën si miss, e deri në ditët e sotme që është një këngëtare e talentuar. Mediat zvicerane kanë shkruar se pavarësisht se kënga e Kështjellës është publikuar para një viti e gjysmë, tani ka filluar të korrë sukses të mjaftueshëm, duke u dëgjuar në “MTV Gjermani”, në Austri, Zvicër, Francë e shumë vende evropiane.

Gjatë një interviste për gazetën më të madhe në Zvicër, “Blick”, fillimisht Kështjella është pyetur se si ka arritur ajo deri te muzika.

“Unë talentin e kam të lindur, kështu që kam filluar të këndoj që në fëmijëri, kam marrë pjesë në shumë koncerte shkollore që organizoheshin në atë kohë dhe jam shpërblyer dy herë. Në organizimin multi-kulturor të Kanton Bernit që u mbajt në Thun, ku zura vendin e parë nga gjithë kulturat e vendeve të huaja dhe atij mikpritës. Pastaj në organizimin e Mini Bleibek Show, zura vendin e tretë” u shpreh Pepshi.

Po ashtu, gazeta “Blick” ka pyetur se si e ka ndier veten kur videoklipi i saj po transmetohej në “MTV”  dhe ajo është përgjigjur se ishte e lumtur për këtë.

“Natyrisht, jam ndier mjaft e lumtur, e gëzuar tejmase, më dukej e pabesuar, sepse aty shikohen videoklipe të artisteve botërore. Pra u ndjeva shumë e lumtur dhe krenare me punën time” tha Kështjella Pepshi. /Albinfo.ch.