Gruaja kërcënon burrin në Malishevë: “Nëse s’vjen në shpi, i gjuaj fëmijët prej ballkoni”

Një rast jo fort i zakontë i dhunës në familje, por mjaft i frikshëm ka ndodhur në Malishevë, ku viktimë kësaj radhe rezulton të jetë burri i cili u kërcënua seriozisht nga bashkëshortja e tij. E keqja që iu kanos atij, përveç se ishte e rëndë dhe serioze, po qe se do të realizohej nga ajo do të pësonin më së keqi fëmijët e çiftit, të cilët në momentin e kërcënimit ishin me nënën e tyre në shtëpi, kurse babai i tyre gjendej në punë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu”, gjatë ditës së djeshme. Sinjali ka mësuar se si ndodhi rasti dhe ju sjellë të gjitha detajet më poshtë.

Ku nisi konflikti:

Sinjali ka mësuar se përderisa bashkëshortët bisedonin me njëri-tjetrin në telefon, njëri nga shtëpia e tjetri nga puna, situata u tensionua aq shumë saqë burri u përball me ultimatum nga bashkëshortja e tij, se po qe se ai nuk kthehet menjëherë në shtëpi, ajo do t’i gjuajë fëmijët nga ballkoni.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se nga deklarata e denoncuesit është kuptuar se çifti ka pasur probleme edhe më herët, përfshirë edhe ato për motive xhelozie, por një eskalim i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për ta parandaluar më të keqen, bashkëshorti është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici.

Më tutje, burimet thonë se burri ka përshkruar në detaje problemet me bashkëshorten dhe bisedën e zhvilluar me të, nga e cila kishte ngelur i shokuar dhe frika ishte shtuar në veçanti kur në telefonin e tij kishte arritur edhe një video e dërguar nga bashkëshortja e tij.

Sinjali mëson se në pamjet e dërguara nga bashkëshortja, të cilat e kishin bërë kërcënimin real për jetën e fëmijëve, shihej se në hapësirat e banesës ku ndodheshin edhe fëmijët, ajo u kishte vënë flakën disa letrave dhe kjo përbënte rrezik real për jetën e fëmijëve.

Kjo e kishte alarmuar prindin e fëmijëve, i cili menjëherë kishte dalë nga puna dhe ishte nisur për ta denoncuar rastin në Polici, ku i shqetësuar skajshmërisht ka dhënë rrëfimin e tij.

Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur bashkëshorten, e cila në Stacionin Policor është përballur me denoncimin kundër saj dhe në mes lotësh ka dhënë versionin e saj se si ka ndodhur ngjarja, duke i siguruar policët se nuk kishte qëllim për t’i lënduar fëmijët, por çdo gjë e kishte bërë në afekt.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si dhunë në familje dhe pas përfundimit të hetimit do të vendoset për aktakuzën eventuale dhe cilësimin e saktë ligjor të veprimeve të bashkëshortes që kërcënoi burrin në Malishevë.