Whyte “ngacmon” Furyn, e quan frikacak

Boksieri britanik Dillian Whyte përgatitet për sfidën ndaj Alexander Povetkin këtë të shtunë në Londër, në “Matchroom Fight Camp”.

Fitorja do t‘i jepte atij zyrtarisht mandatin për të dueluar për titullin kampion bote në kategorinë WBC, titull që mbahet nga patrioti i tij Tyson Fury.

Gjithsesi, Fury duket se ka të tjera plane për të ardhmen e tij.

Ai fillimisht synon triologjinë me Wilder këtë vit dhe më pas dy duele me Anthony Joshua vitin e ardhshëm, kampionin tjetër të botës në peshën e rëndë.

Ndaj, kjo gjë nuk i pëlqen Whyte, që nuk i ka kursyer fyerjet karshi patriotit të tij.

“Tyson Fury nuk do t’ia dijë për WBC dhe më vjen keq. Ata duhet t’ia heqin titullin, pasi ai duhet të duelojë me mua. Ai është një njeri që tjetër gjë thotë e tjetër gjë bën. Ashtu si Wilder, ka frikë të duelojë me mua. Është një klloun, pasi do rivalë të lehtë. Uroj që WBC të mbajë fjalën dhe unë të dueloj për titull”, tha Whyte