Barcelona i bashkohet Realit në finalen e Superkupës

Barcelona ka arritur ta mposhtë Real Betisin të enjten mbrëma në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, dhe i është bashkuar Real Madridit në finale. Barça fitoi përballë Betisit me shumë vështirësi, në ekzekutimin e penalltive, 4:2.

Koha e rregullt përfundoi 1:1, ndërsa në vazhdime, të dyja skuadrat shënuan edhe nga një gol. Robert Lewandowski realizoi në minutën e 40-të për epërsinë e Barcelonës, ndërsa Nabil Fekir barazoi shifrat në minutën e 77-të.

Ansu Fati në minutën e 93-të të vazhdimeve realizoi gol të bukur, ndërsa Loren Moron, në minutën e 101-të vulosi rezultatin që dërgoi skuadrat në penallti. Andres Guardado i Betisit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 119-të, shtatë minuta pasi u ndëshkua për herën e parë. Ndërkohë, Pedrit të Barcelonës iu anulua një gol në minutën e 23-të.

Në penallti, portieri gjerman i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, priti dy penallti. Për Barcelonën shënuan Lewandowski, Franck Kessie, Ansu Fati dhe Pedri, ndërsa te Valencia, të saktë ishin Willian Jose dhe Moron. Dështuan Juanmi dhe William Carvalho.

Kjo ndeshje u zhvillua në Riyadh të Arabisë Saudite, në stadiumin “King Fahd International”. Finalja Real Madrid – Barcelona do të luhet të dielën më 15 janar.