Vuçiq në takim me Lajçakun: Do të respektojmë marrëveshjet e dialogut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog dhe të respektojë gjithçka që ka nënshkruar dhe që është pajtuar.

Në një njoftim për media të lëshuar nga Presidenca e Serbisë po ashtu thuhet se Vuçiq ka ripërsëritur se Serbia dëshiron shtensionim, paqe dhe stabilitet.

Po ashtu në njoftim u tha se Vuçiq insistoi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por në takim janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, emisari evropian Lajçak tha se në takim me zyrtarët serbë bisedoi për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimt të raporteve Kosovë-Serbi.

“Pas vizitës sime në Kosovë, po ashtu udhëtova për në Beograd për të përgatitur takimin e kësaj jave të kryenegociatorëve. Me presidentin [e Serbisë, Aleksandar Vuçiq] dhe me [drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe] Petar Petkoviq, diskutova për mënyrën përpara në dialog për hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.