Vrasja me pagesë në Deçan: 49 vjet burg për vrasjen e Ferdinand Gjinit

Gjykata e Pejës i ka shpallur fajtorë pjesëtarët e grupit të përberë prej katër personave, nën akuzën për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

I akuzuari Bekim Raja që akuzohej se e porositi vrasjen me pagese të Gjinit i dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim, e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim.

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë u dënua nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.

Gjykata e Pejës me parë e kishte shpallur fajtor Gjon Pnishin për këte vrasje duke e dënuar me 18 vite burgim.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Në këtë proces gjyqësor me rastin e zbardhjes se përgjimeve është përmendur edhe emri i ish-deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa.

Javë më parë, KALLXO.com raportoi se i akuzuari Bekim Raja në këtë rast kishte planifikuar të kërkonte ndihmë nga Hajdar Beqa.

Madje, nuk është kursyer as prokurorja që po heton rastin, Valbona Disha Haxhosaj.

Prokurorja e rastit tregoi për metodat që, sipas saj, janë përdorur nga i akuzuari Bekim Raja që ajo të tërhiqet dhe të dorëzohet nga rasti.

Prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj tha se i akuzuari Raja i ka ofruar shuma parash në formë mite, në mënyrë indirekte nga njerëz autoritativë.

Ajo tha se kur as kjo nuk ka funksionuar i akuzuari Raja me të akuzuarin Avni Sinanaj kanë përdorur metodat e frikësimit, kanosjes ndaj saj.

Për këto kanosje i akuzuari Avni Sinanaj i kërkoi falje prokurores në seancën kur i njëjti dha mbrojtjen e tij.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.