Ndahet nga jeta në Shqipëri ish-ambasadori gjerman, Werner Daum. Diplomati 82-vjeçar është gjetur pa shenja jete mesditën e së premtes në një hotel në zonën e Golemit, Kavajë.
Sipas Policisë, trupi i pajetë i tij u gjet rreth orës 12:30 në dhomën e hotelit ku po qëndronte prej disa ditësh. Nga janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
“Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi Ë. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman). Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Vetëm pak ditë më parë, Daum ishte pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë, ku mbajti një fjalim prekës për kujtimet e tij në Shqipëri dhe rolin në rrëzimin e regjimit komunist.
“Unë isha këtu për tre vjet, që nga viti 1987, kur hapa ambasadën, deri në korrik të vitit 1990, kur ambasada ime u shemb në kuptimin fizik. Por jo vetëm ndërtesa e ambasadës shkoi drejt rrënimit, por edhe marrëdhënia që unë përpiqesha të ndërtoja me popullin shqiptar, me shoqërinë, me intelektualët, gjithçka dukej sikur ishte humbur. Por, përkundrazi, ajo që ndodhi ishte lindja e diçkaje të re dhe të bukur. Ishte lindja e lirisë…”
Në fjalën e tij, ai nuk harroi të përmendte shkrimtarin e madh Ismail Kadare, për të cilin u shpreh: “Dua të përmend në veçanti mikun tim të vjetër të mirë, Ismail Kadarenë. Kadare nuk është vetëm vëllai ynë shpirtëror dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, por ai kishte edhe shpirtin e lirisë… Një regjim që dyshon edhe te intelektualët e vet më të mëdhenj është i destinuar të bjerë – dhe jam krenar që pata një dorë, sado të vogël, në këtë proces.”
Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Shqipëri nga viti 1987 deri në 1990. Ai kujtohet si një zë i fortë i lirisë dhe si njeriu që hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët në kërkim të shpëtimit, në kundërshtim me urdhrat e qeverisë së tij.
“E dua Shqipërinë, e dua këtë vend, natyrën e tij të mrekullueshme, malet, detin, veçanërisht vendet historike, kishat bizantine, qytete si Berati, Korça, Shkodra, Vlora, dhe më duhet të them se i doja shumë shqiptarët”, ishte një nga fjalitë e fundit publike që la pas Werner Daum për Shqipërinë.