Tri vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve dhe një pronari ndërtimi

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.

Të përfshirë në këtë rasti ishin ish-shefi i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti, nëntë ish-inspektorë si dhe biznesmenit Qemajl Pozhegu.

Sipas vendimit të kësaj Gjykatës së Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Ismet Haliti do të vuajë 2 vite burgim dhe Skender Cakolli do të vuajnë një vit burgim, dënim ky i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”.

Gjykata Themelore e Prishtinës me 10 nëntor 2020, të akuzuarin Haliti për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Për keqpërdorim detyre Skender Cakolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” ndaj biznesmenit Qemajl Pozhegu po ashtu është vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Apeli ka vërtetuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë edhe për të akuzuarit Vehbi Abdullahu dhe Mërgim Shala, ndërsa për pjesën tjetër të njëjtit në mungesë të provave i ka liruar nga akuza.

Ndërsa ish- inspektorët tjerë të dënuar nga shkalla e parë, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, janë liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu, Ajeti, Shala, Rukiqi, Ibishi, Muhadri dhe Cenaj ishin dënuar me 6 muaj burgim, mirëpo këtë dënim nuk do ta vuajnë pas vendimit të Gjykatës së Apelit me të cilin të njëjtit janë shpallur të pafajshëm.

Apeli ka vërtetuar edhe vendimin mbi konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale ndaj të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala, të cilëve iu janë konfiskuar automjete të llojeve të ndryshme dhe një banesë në lagjen “Kalabria”.

Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11.000 euro si dhe një pistoletë.

Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1,000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10,000 franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20,000 euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit ngarkohen se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal. /BetimipërDrejtësi