Tre gola në dy ndeshje, Zulfiu shpreson të vazhdojë njëjtë edhe ndaj Rijekës

Sulmuesi i krahut, Iljasa Zulfiu, po kalon momentin më të mirë në karrierë. 25-vjeçari nga Lugina e Preshevës ishte ndër më meritorët që Dukagjini i Klinës debutoi me sukses në gara evropiane.

Dukagjini e kaloi Europan e Gjibraltarit në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen e parë në Prishtinë, Zulfiu shënoi në minutën e 96-të për fitoren 2:1. Në Gjibraltar, të enjten, Dukagjini fitoi 3:2, ndërsa dy gola i shënoi Zulfiu.

“Ndeshja në Gjibraltar ishte shumë e vështirë. Moti ishte shumë i nxehtë, ndërsa edhe më të rëndë ndeshjen e bënte fusha me bari sintetik. Por morëm atë që e kishim synim, fitoren, dhe të gjithë jemi shumë të lumtur”, ka thënë Zulfiu të premten për KOHËN.

Ai ka folur edhe për bilancin prej tre golave në dy ndeshje evropiane.

“Jam i lumtur që golat shërbyen për suksesin e skuadrës. Suksesi i skuadrës natyrisht është primar. Jemi kualifikuar dhe kjo ka rëndësi. E falënderoj Zotin që suksesi u bë i mundur edhe falë golave që i shënova unë”, ka shtuar Zulfiu. Ai iu bashkua Dukagjinit para një viti. Ka luajtur edhe për Laçin, Malishevën, Flamurtarin dhe disa skuadra në Serbi.

Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Dukagjini do të ketë punë më të vështirë. Do ta ketë përballë Rijekën, skuadrën e njohur nga Kroacia. Ndeshja e parë zhvillohet të enjten e ardhshme në Prishtinë, ndërsa e kthimit më 3 gusht në Rijekë.

“Tani përballë kemi ekip më të madh, ekip me emër në Kroaci. Rijeka ka lojtarë cilësorë në përbërje dhe do të jetë vështirë. Do ta shfrytëzojmë kohën e mbetur për t’u përgatitur sa më mirë. Natyrisht, do të luftojmë të gjithë. Do të japim maksimumin në secilën ndeshje. Fillimisht do të fokusohemi te ndeshja e parë në Prishtinë”, ka theksuar Zulfiu. Ai shpreson të vazhdojë me formë të mirë, përkatësisht me kontribut për skuadër.

Dukagjini të premten mbrëma është nisur për në Kosovë. Skuadra do të jetë në Klinë vetëm të shtunën.