Bordi i drejtorëve në Klinë diskuton masat lidhur me virusin COVID-19, bëhet apel për respektim të udhëzimeve mjekësore

Nën drejtimin e kryetarit të komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot është mbajtur mbledhja e bordit të drejtorëve, ku është diskutuar për aktivitetet e planifikuara dhe për situatën e krijuar me virusin COVID-19.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe Korniza Afatmesme Buxhetore 2021 2023, ku janë të përfshira projekte të ndryshme, të cilat janë planifikuar të realizohen në bazë të kërkesave të qytetarëve. KAB do të dërgohet për miratim edhe në Kuvendin e Komunës.

Bordi i drejtorëve, gjatë diskutimit për situatën e krijuar me virusin COVID-19, vlerësoi se rritja e numrit të të infektuarve me virus në Kosovë është shumë shqetësuese dhe bëri apel qytetarëve që të rrisin kujdesin dhe të i respektojnë udhëzimet e institucioneve shëndetësore.