Arrestohet bosi më i kërkuar i mafias në Itali, Matteo Messina Denaro, pas 30 vitesh arrati

Bosi më i kërkuar i mafias në Itali, Matteo Messina Denaro është arrestuar në Siçili pas 30 vitesh në arrati.

Messina Denaro thuhet se u ndalua në një klinikë private në kryeqytetin e Siçilisë, Palermo. Ai supozohet të jetë bosi i mafies famëkeqe të Siçilisë, Cosa Nostra.

Mediat italiane raportuan se ai kishte marrë trajtim kur u arrestua pak para orës 10:00 dhe u dërgua në një vend sekret nga Karabinierët. Mbi 100 pjesëtarë të forcave të armatosura thuhet se janë përfshirë në arrestimin.

Messina Denaro u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të shumta.

Këto përfshijnë vrasjen e prokurorëve antimafia në vitin 1992, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi të kthyer në dëshmitar shtetëror.

Bosi i mafias mbikëqyri gjithashtu shantazhin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës për sindikatat e fuqishme të krimit të organizuar Cosa Nostra. Ai thuhet se ishte i mbrojturi i Totò Riina, kreut të klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati.

Megjithëse Messina Denaro kishte qenë i arratisur që nga viti 1993, mendohej se ai ende u jepte urdhra vartësve të tij nga vende të ndryshme sekrete.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni falënderoi forcat e armatosura për punën e tyre në arrestimin e “pjesëtarit më të rëndësishëm të grupit kriminal mafioz”, duke shtuar: “Kjo është një fitore e madhe për shtetin”.