Sulmohet verbalisht një infermiere në QKMF-në e Klinës, rasti po hetohet nga Policia

Një incident shqetësues ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në objektin e QKMF-së në Klinë, ku një infermiere iu është nënshtruar sulmimit verbal dhe kërcënimeve serioze nga disa persona të panjohur.

Sipas burimeve të klina.info, ngjarja ka ndodhur në orën 19:30 në vendin e saj të punës, ku një grup femrash kanë hyrë në hapësirat e institucionit shëndetësor dhe kanë penguar infermieren gjatë kryerjes së detyrës, duke e fotografuar pa leje dhe duke e kërcënuar, përfshirë edhe fjalinë tronditëse: “Do të mbysim”.

E njëjta, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, ka deklaruar për klina.info se ndodhet në gjendje të rënduar emocionale dhe ka pësuar ankth si pasojë e ngjarjes.

“Nuk i njoh personat që më sulmuan dhe nuk e kuptoj se për çfarë motivi më ndodhi kjo. Jam e shqetësuar dhe ndjehem e pasigurt,” – ka thënë infermierja.

Rasti është raportuar në Stacionin Policor të Klinës.

Institucionet shëndetësore janë hapësira ku qytetarët presin ndihmë dhe shërbim, ndaj çdo formë e sulmit verbal apo fizik ndaj stafit mjekësor përbën shkelje serioze të rendit dhe sigurisë publike./Klina info/