AAK: Nuk marrim pjesë në votime pa u themeluar Komisioni hetimor për menaxhimin e krizës me energjinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar sot në lidhje me dështimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se grupi parlamentar i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për t’i bërë kuorumin shumicës, deri në themelimin e komisionit hetimor.

“Jemi dëshmitarë se sot ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte, Qeveria e pengoi parlamentin të votojë themelimin e një komisioni hetimor për shpenzimet në subvencionimin e sektorit të energjisë. Dhjetëra milionë janë paguar për rrymën e vjedhur në veri. Për këtë arsye dhe shumë tjera, grupi parlamentar i AAK nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për t’i bërë kuorumin shumicës deri në themelimin e këtij komisioni që u formu sot”, ka deklaruar Haradinaj.

Në anën tjetër, Haradinaj ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të vazhdojnë të pëkrahin fondin e sigurisë.

“Ftojmë qytetarët që të vazhdojnë të përkrahin fondin e sigurisë. Duke përhrahur fondin, përkrahim, sigurinë e Kosovës”, tha Haradinaj.