Si ndodhi ngjarja, dy djemtë dhe nëna nga Kopliku vrasin me plumb në kokë efektivin malazez

Një familje shqiptare nga Malësia e Madhe (qyteti i Koplikut), nëna 67-vjeçare dhe dy djemtë e saj, njëri prej të cilëve në kërkim nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasje, u arrestuan nga policia malazeze për vrasjen e një efektivi të policisë. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në qytetin bregdetar Igalo rreth 5 km larg kufirit kroat, ku sipas hetimeve paraprake, policin e ka qëlluar me një plumb në kokë një nga djemtë e të moshuarës, Luan Hasanaj 43 vjeç.

Si ndodhi ngjarja?

Nëna, Nure Hasanaj dhe dy djemtë Luan dhe Lulëzim Hasanaj 49 vjeç, dyshohet të kenë kaluar në këmbë kufirin nga Kosova për në Mal të Zi. Ata janë ndaluar nga autoritetet e kufirit për shkak se ishin pa dokumente identifikimi, ndërsa në momentin e ndalimit kanë thënë se janë nga Kosova. Të tre janë marrë me një makinë policie për t’u shoqëruar në komisariatin e Policisë së Herceg Novit. Në këtë moment, rreth 5 kilometra nga kufiri kroat, Luan Hasanaj ka nxjerrë nga një qese, të cilën e mbante në dorë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në kokë policin që ishte në makinë, 41- vjeçarin Millutin Lekoviq, malazez, i cili ndërroi jetë në spitalin e Risanit. Të tre shqiptarët ishin të ulur në pjesën e pasme të makinës së policisë, prej nga Luan Hasanaj qëlloi me një plumb në kokë efektivin nga Mali i Zi.

Largimi pas vrasjes së policit

Por nuk janë mjaftuar me kaq. Pasi kanë vrarë policin, nëna e moshuar me dy djemtë kanë dalë nga makina dhe kanë vrapuar të kalojnë në këmbë kufirin kroat. Ata u arrestuan pas një shëkmbimi zjarri me policinë në vendin e quajtur Fusha e Sutorinit, teksa tentuan të kalonin në Kroaci. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur në dorë edhe Luan Hasanaj, autori i vrasjes së policit. Tre shtetasit Shqiptar janë arrestuar ditën e dielë rreth orës 17:00 ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Igalo të Malit të Zi rreth 5 km larg kufirit kroat.

Luan Hasanaj i arratisur nga Shqipëria

Luan Hasanaj kërkohej nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasje në bashkëpunim. Në 5 maj të vitit 2008 ai ka plagosur me armë zjarri në fshatin Kamicë të Malësisë së Madhe, Ylli Berishën. Për ngjarjen është arrestuar vëllai i tij, Lulëzim Hasanaj, ndërsa Luani u shpall në kërkim pasi mundi të largohej.

Zyrtarët më të lartë të Malit të Zi, presidenti Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Dushko Markoviç, ngushëlluan familjen e pjesëtarit të policisë./shqiptarja.com

SHARE