Shqetësuese: Për një muaj 20 mjekë u larguan nga Kosova

Shqetësuese: Për një muaj 20 mjekë u larguan nga Kosova, paralajmërohet mbyllje e spitaleve brenda 10 vjetëve

Ekspertët e shohin mjaft shqetësuese ikjen e mjekëve nga Kosova. Madje ata thonë se për shkak të pagave të ulëta profesionistët shëndetësorë po detyrohen të zgjedhin migrimin për një jetë më të mirë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se mjekët e larguar po ikin nga vendi për punë e jetë të dinjitetshme.

“Diku 48 mjekë vetëm muajt e fundit janë larguar nga Kosova. Ata po ikin, por për shkak të kushteve dhe mospërkrahjes nga Qeveria, po largohen për punë dhe jetë të dinjitetshme”, tha Zemaj.

Se Kosova po mbet pa mjekë, e thotë edhe Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu duke shtuar se brenda 10 vjetëve spitalet do të fillojnë të mbyllen.

“Ne jemi duke mbetur pa mjekë dhe brenda 10 vjetëve spitalet tona do të fillojnë të mbyllen deri atëherë. Për dhjetë vjet 1 300 vetë do të pensionohen. Ne kemi një sistem që nuk ofron kushte të mjaftueshme për punën e mirëfilltë të mjekëve dhe sigurinë në punën e tyre”, tha Sejdiu për eo.