Policia e Pejës: Mjeti ndezës shpërthyers ishte në QKMF, jemi në kërkim të autorëve

Policia Rajonal e Pejës raporton dhe sqaron se në mëngjesit e sotëm të hershëm, datë, (17 janar, 2020) rreth orës 03:50 minuta, persona të dyshuar, identiteti i të cilëve për momentin është i panjohur, kanë hedhur një mjet të improvizuar ndezës, në derën anësore (ndihmëse) të QKMF-së Pejë.

Sipas të dhënave nga punëtorët e qendrës, është dëgjuar një krismë (shpërthim), dhe menjëherë të njëjtit kanë dalë dhe kanë vërejtur zjarrin i cili kishte kapluar hyrjen e lartcekur, ku zjarrin kanë arritur ta shuajnë me anë të aparateve për fikjen e zjarrit.

Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative-hetimore.

Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim të plotë me prokurorin e Shtetit, për të zbuluar të gjitha rrethanat e këtij rasti, si dhe për të identifikuar personat e dyshuar.

Në anën tjetër Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci në një delarim për ‘RADIO 1’ ka thënë se nga shpërthimi fatmirësisht nuk është lënduar askush dhe se me rastin po merren organet e hetuesisë.

“Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pësuar askush, as nga personeli as nga pacientët. Policia po punon në rast, hetuesia po merret me ngjarjen dhe besoi do të kenë rezultatet e duhura.”-tha Loci